Femra Sot

Tuesday, Jul 29th

Last update12:57:56 PM

You are here Shëndeti Intime Vezoret policistike

Vezoret policistike

Sindromi i vezoreve policistike (PCOS) është dukuri shumë e përhapur tek femrat në moshën reproduktive

dhe  karakterizohet me vonesa të menstruacioneve, daljen e qimeve terminale dhe me mbipeshë trupore, por mundet të paraqiten edhe me simptome tjera.

Emri vezore policistike vjen nga dukja e vezoreve. Ende nuk i dihet shkaktari por mendohet që ka të bëjë me një rezisencë që has insulina në zonat periferike.

Në këtë sëmundje vihen re:

  • Vonesa të menstruacioneve (oligomenore-amenore)
  • Puçrra (akne)
  • Obezitet (mbipeshë)
  • Dalja e qimeve terminale (hirsutizm)
  • Probleme me ovulacionin dhe infertilitetin

Nëse shikojmë analizën e hormoneve gjejmë se hormoni LH dhe ai mashkullor pra testesteroni ose DHEAS janë të lartë.

Në këtë sëmundje ekuilibri mes hormoneve LH dhe FSH (që janë dy hormone më kryesorët në lidhje me prodhimin e hormoneve të vezores) është prishur dhe si pasojë ndodhin probleme me ovulacionin (lëshimin e qelizës femër nga vezorja) dhe me pjekurinë e këtyre qelizave.

Duke qenë se hormonet mashkullore janë të larta vihet re një rritje të qimeve në fytyrë, gjinj, rreth kërthizës apo këmbë. Ndonjëherë vihet re edhe rënie flokësh anash sikur tek meshkujt.
Një nga problemet e tjera janë ato me mos pasjen e ovulacionit si rrjedhojë nuk ka edhe fertilizim. Gjithashtu meqë hormoni estrogjen prodhohet më shumë seç duhet rritet mundësia e kancerit të mitrës.

Këto gra në fillim vuajnë nga një çrregullim menstrual pra një vonesë e vazhdueshme në menstruacione apo mos pasja e tyre etj. Më pas fillon dalja e qimeve për të cilat folëm më lart. Më vonë fillojnë edhe problemet me shtatzaninë por sigurisht jo tek të gjitha gratë. Ka prej femrave që i kanë menstruacionet e rregullta.
Gjithashtu është vënë re edhe një rezistencë ndaj insulinës që do të thotë mundësi për diabet.

Diagnoza
Ankesat tipike bashkë me ultrasonografinë (eko) ndihmojnë në diagnostikim.Në eko vihen re shumë kiste bashkë me një zmadhim të përgjithshëm të vezores dhe rritjes së stromës. Në analizat e gjakut vihet re një rritje e hormonit mashkullor dhe e përpjestimit të LH/FSH.

Kurimi
Kurimin e përcakton mjeku specialist gjinekolog dhe së pari varet nga ankesat e pacientit.
Për problemet me menstruacionet (për ti rregulluar ) dhe me qimet mund të përdoren kontraceptivët sigurisht nëse nuk kërkohet shtatzani.Qëllimi i tyre është parandalimi i daljes së qimeve të tjera dhe për të marrë një rezultat duhet pritur më e pakta 6 muaj.Gjithashtu kundër efekteve të krijuara prej hormoneve androgjene (mashkullore) mund të përdoret edhe spironolaktoni, flutamidi,finasteridi etj.

Për qimet e krijuara nuk ka ndonjë kurë shumë efikase por mund të përdoren metodat e heqjes me elektrolizë ose mund të përdoret depilimi apo kremërat për rënien e qimeve por duhet që në fillim të nisi përdorimi i ilaçeve kontraceptive. Kundër rezistencës së insulinës mund të përdoret metformin i cili ndikon mirë edhe për ovulacionin.

Në rastet e dëshirës për të bërë fëmijë mund të përdoren ilaçet që shkaktojnë ovulacion të cilët në shumicën e rasteve japin rezultat si p.sh klomifen citrat.Në fakt një metodë shumë e dobishme për këtë problem është edhe rënia në peshë nën direktivat e një dietologu sepse është vërtetuar se me r[nie në peshë tek shumë gra menstruacionet kanë hyrë në rregullin e tyre.
Nëse ilaçet nuk japin rezultatin e duhur tek kjo sëmundje mund të përdoren edhe metodat laparoskopike kirurgjikale (ovarian drilling).

Mos të harrojmë, se të sëmurët me këtë sëmundje duhen kuruar patjetër dhe duhet krijuar që çdo muaj të kenë menstruacione të rregullta.Nuk duhet harruar se kurimi mund të zgjasi gjatë.

Siç shihet edhe më lartë mënyrat e kurimit janë të shumëllojshme (ilaçe ka shumë me emra të ndryshëm) dhe këtu përmendëm disa shkurtimisht por nuk duhet harruar se këto ilaçe duhen përdorur me këshillën e mjekut gjinekolog sepse ai që ju viziton zgjedh për ju dhe ilaçin më të përshtatshëm edhe rradhën e duhur të përdorimit.

Gjithashtu na duhet të themi se mjekësia është një fushë që zgjerohet dhe që vazdimisht dalin ilaçe apo metoda kurimi të reja. Konsultohuni me mjekun tuaj dhe informohuni rreth tyre.

njomza-222

radiovati